Shtëpia e Bardhë tha të premten se do të ndajë me zyrtarët izraelitë alternativat për eliminimin e grupit militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës pa një ofensivë tokësore në Rafah, për të cilën Uashingtoni thotë se do të ishte një “katastrofë”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i bëri komentet përpara bisedimeve që priten javën e ardhshme në Uashington midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe një delegacioni izraelit.

Zyrtarët amerikanë pritet të përqendrohen në përpjekjet për të bindur Izraelin që të shmangë nisjen e një ofensive tokësore në Rafah, qytetin jugor të Rripit të Gazës, ku 1.5 milionë njerëz kanë kërkuar strehim në luftën mbi pesë muajshe, që pasoi sulmin e militantëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

“Ne besojmë se një ofensivë e madhe tokësore do të ishte veprim i gabuar” dhe një “katastrofë”, tha zoti Kirby në një konferencë për shtypin.

Zoti Kirby tha se zyrtarët amerikanë do të ndajnë opsionet e mundshme me zyrtarët izraelitë, që do të vijnë në Uashington dhe tha se më shumë detaje mbi vizitën e tyre do të publikohen në ditët në vijim.Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sinjalizoi të premten se ai nuk do të hiqte dorë nga përpjekjet për të dëbuar militantët e Hamasit nga Rafah, duke thënë se Izraeli është i përgatitur të veprojë i vetëm.

Zëdhënësi Kirby vuri në dukje se pavarësisht komenteve të Kryeministrit Netanyahu, Izraeli ende nuk e ka nisur ofensivën në Rafah.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera janë përpjekur të dërgojnë sasi të mëdha ndihmash humanitare në Gazë, ku është rritur frika e urisë.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris tha se nuk ka mbetur asnjë mënyrë që civilët të shpëtojnë nga qyteti Rafah, në rast të një ofensive ushtarake.

“Nuk kanë ku të shkojnë këta njerëz, ata nuk kanë një vend tjetër ku mund të jenë të sigurt”, u tha zonja Harris gazetarëve ndërsa po nisej për një udhëtim në Porto Riko dhe Florida./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *