Pas thirrjes së Ilir Metës për të shtuar numrin e testimeve, edhe kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar që të ndërmerren urgjentisht masa në ndihmë të shëndetësisë.

Përmes një postimi në “Facebook”, lideri demokrat shkruan se: “Rritja e numrit të testimeve, rimbursimi i plotë për mjekimin në shtëpi kundër Covid, bonusi i premtuar dhe angazhimi i të gjithë mjekëve e infermierëve dhe shtimi i kapaciteteve spitalore janë 4 hapa urgjente në ndihmë të shëndetësisë dhe shqiptarëve të lënë në mëshirë të fatit.”

Ai ka publikuar edhe një video, ku tregon se prej muajit mars kanë humbur jetën 473 shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë janë infektuar me COVID-19.

Ndërkohë që shqiptarët luftojnë për jetën, shton Basha, priorit për Ramën janë tenderat sekretë dhe konçesionet korruptive.

“Për këtë arsye jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve në Europë, vendi me buxhetin me të ulët, vendi me numrin më të ulët të testimeve për Covid në Europë. Është kërcënimi më i madh për shëndetin e shqiptarëve”, përfundoi kreu i demokratëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *