Agjentët e tregut imobiliar nuk i kanë mirëpritur masat kufizuese të Bankës së Shqipërisë për kreditë e banesave. Sipas tyre nuk adresohet rritja e cimeve në këtë treg, me masa frenuese. Reinaldo Pipiria, drejtor i shoqatës “NAREA”, tha se sinjale të tilla do të shoqërohen me turbulenca në treg.
“Kredia që ka dhënë sistemi bankar ka qenë një nga kanalet kryesore të shëndetshme të funksionimit të këtij tregu. Tani me këto masa do të ndryshojë perceptimi, pasi financa është besim. Ne vijmë nga një lojë që u bë me rivlerësimin. Shpenzuam shumë energji të bindnim shitësit që ishte koha për të shitur pasurinë e tyre. Ndërsa tani do të vijojmë të bindim sërish se kreditë nuk janë frenuar dhe as janë vështirësuar. Ne mendojmë se masa të tilla do të nxisin pagesat cash”, tha Pipira gjatë një interviste në Vizion Plus.
E gjithë kjo situatë sipas agjentëve të tregut do të shoqërohet me vonesa në transaksione, sidomos në tregun e rishitjes.
“Tregu do të ketë turbulenca. Presim më shumë ngadalësim të transaksioneve në treg derisa shitësi të kuptojë që mund ta shesë pronën edhe me kredi. Ne nuk presim që çmimet do të ulen. Në Tiranë ka çmime të stabilizuara, ndërsa zonat bregdetare do të vijojnë të kenë rritje çmimesh”, tha ai.
Shoqata “NAREA” është e mendimit se Banka e Shqipërisë nuk ka sinjale negative nga tregu dhe vendimet e saj janë të bazuara në perceptim dhe jo fakte.
Sipas tyre masa të tilla vijnë pas një viti të vështirë si ai i 2024, ku tregu u blloku për disa muaj për shkak se u njoftua, por nuk u zbatua fushata e rivlerësimit./vizionplus.tv





