Olimpiada dimërore ka shkrirë akujt në marrëdhënien e tensionuar mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, teksa palët kanë zhvilluar një takim të rrallë në të ashtuquajturën “Shtëpia e Paqes”, në zonën e demilitarizuar që ndan dy vendet.

 

Pheniani ka lajmëruar zyrtarisht se do të dërgojë një skuadër përfaqësuese në Lojërat Olimpike dimërore që do të mbahen në Korenë e Jugut në muajin shkurt, një delegacion i nivelit të lartë me atletë, mbështetës, artistë, vëzhgues, ekipi demonstrues i taekwondo por dhe gazetarë.

 

Seuli ka propozuar gjithashtu organizimin e bashkimeve familjare gjatë Olimpiadës Dimërore, për të gjithë ata persona që janë ndarë nga konflikti.

 

Çështja është me ndjeshmëri të lartë për të dy vendet,  Koreja e Jugut vazhdimisht ka kërkuar organizimin e më shumë bashkimeve familjare.

 

Tjetër ofertë e ardhur nga Jugu është që atletët përfaqësues të dy Koreve të marshojnë së bashku në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.

 

Seuli madje ka propozuar vijimin e negociatave mbi çështje ushtarake si dhe heqjen e përkohshme të sanksioneve ndaj Penianit, për të lehtësuar pjesëmarrjen në Olimpiadë.

 

Nuk dihet ende përgjigja e Koresë së Veriut ndaj këtyre ofertave, por ulja në një tryezë të përbashkët bisedimesh pas mese 2 vitesh është një hap pozitiv. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të mbahet një raund tjetër negociatash.

 

Bisedimet dypalëshe pasojnë deklaratën e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Yong-un në Ditën e Vitit të Ri, i cili kërkoi qe vendi i tij te merrte pjese në Lojërat Olimpike nga 9 deri në 25 shkurt në Korenë e Jugut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *