Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara dhe koordinatori për Qendrën e Angazhimit Global, James Rubin, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës zbatoi marrëveshjen e Rambujesë, duke shmangur masakrat e mëdha.

 

Sipas tij, UÇK-ja mund të ketë pasur problem, por nuk është koha që historia të rishkruhet.

 

JAMES RUBIN

 

ZYRTAR I LARTE I DEPARTAMENTIT TE SHTETIT

 

“Le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe. Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë.”

 

James Rubin nuk pranoi të komentojë Gjyqin që po mbahet në Hagë kundër Krerëve të UÇK-së, por ai foli më tepër mbi marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë mbi normalizimin e marrëdhënieve.

 

“Besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që, nëse liderët e Serbisë duan ta shohin vendin e tyre pjesë të Evropës, pjesë të Bashkimit Evropian, pjesë të NATO-s, ta kenë mundësinë për të qenë një e ardhme më e mirë për popullin e tyre, ata duhet të mësohen pak me idenë se nuk do t’i marrin të gjitha gjërat që duan dhe ndoshta duhet të bëjnë më shumë për ta ndërtuar mbështetjen mbi këtë marrëveshje.”

 

James Rubin u ndal edhe tek dezinformimi rus, nëpërmjet mediave në Ballkan.

 

“Unë mendoj se i gjithë rajoni është i cenueshëm në përgjithësi ndaj problemit të dezinformimit. Natyrisht, një pjesë e madhe e saj vjen nga Serbia. Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media të tjera ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen. Ato janë mbyllur në pjesën më të madhe të komunitetit evropian.”

 

Zyrtari i lartë ka nisur një tur takimesh në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit do të qëndrojë edhe në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *