Shtetet e Bashkuara po kërkojnë t’i japin fund luftës me Iranin, ndërsa Presidenti Donald Trump raportohet se është i gatshëm të pranojë përfundimin e konfliktit edhe pa një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
Sipas “The Wall Street Journal”, Trump e ka diskutuar privatisht me këshilltarët e tij të lartë mundësinë e mbylljes së konfliktit, nëse Irani do të rihapë plotësisht ngushticën e Hormuzit dhe do të garantojë lëvizjen e lirë të anijeve.
Gazeta raporton se administrata amerikane ka përgatitur prej javësh terrenin për shpalljen e fitores, në rast se rikthehet qarkullimi i lirë në këtë korridor strategjik detar.
Megjithatë, mundësia për një marrëveshje është komplikuar të shtunën, pasi Irani ka paraqitur një sërë kërkesash në këmbim të lejimit të qarkullimit të lirë të anijeve në ngushticë.
Sipas “Wall Street Journal”, kushtet e vendosura këtë herë nga Teherani janë më të rënda se ato të kërkuara më parë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më strategjike në botë dhe një arterie jetike për furnizimin global me naftë. Për këtë arsye, rikthimi i lëvizjes së lirë në këtë zonë konsiderohet një nga çështjet kryesore në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Irani ka arritur ndërkohë një marrëveshje me Omanin për administrimin e ngushticës, por zbatimi i saj mbetet i kushtëzuar nga pranimi i kërkesave të Teheranit nga Shtetet e Bashkuara.
/vizionplus.tv





