Pas vendimit kontradiktor të presidentit Donald Trump dhjetorin e kaluar, 33 shtete morën pjesë në hapjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem. Premtimet e paqes gjatë ceremonisë u shoqëruan me dhjetëra viktima në rripin e Gazës. Presidenti Donald Trump e përcolli aktivitetin nëpërmjet një video direkte.

 

“Izraeli është një komb sovran, me të drejtën për të përcaktuar kryeqytetin e tij. Por, për shumë vite ne dështuam që të njohim atë që ishte e qartë. SHBA mbeten plotësisht të angazhuara për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme. Zhvendosja e ambasadës ishte një hap që pritej të ndërmerrej prej kohësh”.

 

Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e përshëndeti vendimin duke iu referuar SHBA-se si aleati më të madh i Izraelit.

 

“Kjo është një ditë e lavdishme dhe historike. Presidenti Trump, duke njohur historinë, ju keni shkruar historinë. Që të gjithë ne ju jemi mirënjohës. 14 maji do të mbahet mend si një ditë e madhe për paqen. Nuk mund të ketë zgjidhje për konfliktin e Lindjes së Mesme pa pranuar të vërtetën e statusit të Jerusalemit si kryeqytet.”

 

Delegacioni i SHBA u përfaqësua nga Ivanka Trump, bashkëshorti i saj Jared Kushner dhe ambasadori i SHBA në Izrael, David Friedman.

 

Polemikat mbi e vendimit që është kritikuar nga palestinezët dhe vendet perëndimore, nuk u përmendën në asnjë nga fjalimet.

 

Ndërkohë, mesazhi i Trumpit u pasua nga zbulimi i vulës së Ambasadës amerikane.

 

E ndërsa zhvillohej ceremonia e hapjes së Ambasadës Amerikane, rreth 35.000 palestinezë morën pjesë në 12 protesta duke i cilësuar tubimet si “Marshi i Kthimit të Madh”.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *