Ditën e enjte do të vendoset nëse ankimi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të kalojë për gjykim apo jo. Gjykata Kushtetuese e ka lënë ende në pritje verdiktin për çështjen Balluku.
Juristi Ledio Braho, i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, komentoi dinamikat ligjore dhe politike të rastit, duke theksuar ndër të tjera mënyrën se si kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj masave të sigurisë të kërkuara nga SPAK për zyrtarët e tjerë si dhe pasojat e pezullimit të Ballukut.
Ledio Braho: Në fillim, Rama e mori në mbrojtje Veliajn. Ia bëri të qartë SPAK, që edhe nëse do shkonte me kërkesë “arrest me burg” do të refuzohej me shumicë votash nga parlamenti. Rama nuk jep më autorizim për masa sigurie “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie”.
Masat janë të tilla për mos-helmimin e provave. Nëse Balluku do ishte në detyrë do kishte mundësi…është tjetër që ajo ka qenë në dijeni që ka pasur një proces hetimor…Është interesante që masa e sigurisë u komunikua dy javë pasi ishte marrë e pandehur. Iu dha mundësi kryeministrit që ta shkarkonte, kjo nuk ndodhi. Nuk është problem që të kemi një zëvendëskryeministre të pezulluar. Nëse Balluku del e pafajshme mund të riemërohet sërish.





