Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi më 9 nëntor për kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Bordin Ekzekutiv të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

 

Ai këtë njoftim e bëri gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s në Paris.

 

Për anëtarët e rinj të Bordit Ekzekutiv do të votohet më 15 nëntor dhe kandidatët janë Shqipëria, Rusia, Sllovakia, Republika Çeke dhe Uzbekistani.

 

Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

 

Deri më tani, Serbia ka lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

 

Gjatë fjalimit të tij, Daçiq tha se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë është në rrezik, duke shtuar se “trupat ndërkombëtare, që kanë për detyrë të ruajnë trashëgiminë kulturore serbe, janë të dislokuara vetëm në disa asete kulturore”.

 

Ai vlerësoi se “trashëgimia kulturore dhe historike serbe në Kosovë, ku janë 1.300 vende të shenjta, është e një rëndësishme të madhe jo vetëm kur bëhet fjalë për identitetin kombëtar të Serbisë, por po ashtu paraqet një pjesë të vlefshme të trashëgimisë kulturore evropiane dhe botërore”. Sipas tij, kjo trashëgimi “është subjekt i përpjekjeve për riemërim, rishikim të fakteve historike dhe të përdhosjes fizike”.

 

Autoritetet në Kosovë besojnë se me anëtarësimin në UNESCO, shumë objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë do të gëzonin një mbrojtje në nivel ndërkombëtar.

 

Tri manastire ortodokse në Kosovë janë nën mbrojtjen e UNESCO-s: Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, por edhe Kisha e Shën Premtës në Prizren.

 

Sipas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më herët gjatë këtij viti për normalizimin e raporteve, Serbisë i është kërkuar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

 

Marrëveshja, për të cilën janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu parasheh edhe një nivel të lartë të mbrojtjes së objekteve kulturore dhe fetare serbe, sipas modeleve ekzistuese evropiane./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *