Samiti i G7 i cili do të fillojë nesër në Quebec të Kanadasë pritet të sjellë një përballje të vështirë të presidentit amerikan Donald Trump me liderët europianë. Shumë kritikë e kanë emëruar takimin G1+6 duke nënkuptuar se konfliktet e Trump me partnerët tradicionalë të Uashingtonit do të testojnë premtimin e tij se ideologjia “Amerika e para” nuk nënkupton Amerikën vetëm.

 

Kancelaria gjermane Angela Merkel parashikon se bisedimet në takimin e liderëve të G7-s, do të jenë të vështira. Ajo është shprehur po ashtu se nuk do të pranojë asnjë përpjekje për zbutjen e deklaratës së mëparshme të Grupit.

 

Takimi i të premtes dhe të shtunës do të jetë një mundësi shumë e mirë që liderët e G7 të përballen drejtpërdrejt me presidentin amerikan Donald Trump, pas vendosjes nga SHBA-ja të tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit në Kanada, Meksikë dhe BE javën e kaluar, vende të cilat  planifikojnë të ankimohen në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 

Aleatët europianë të Amerikës janë të zemëruar me Trump edhe për faktin se u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke injoruar kërkesat e tyre për të qëndruar.

 

Sipas një analize të CNN, politika e lëkundur e presidentit Trump i cili nga njëra anë gjendet në një konflikt të hapur me Europën dhe ndërkohë gjendet përpara një takimi historik me liderin e Koresë Veriore, po i shton gjithnjë e më shumë pasiguritë për të ardhmen e politikës së jashtme amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *