Subscribe

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e mbajtur në Samitin e Diasporës deklaroi se shqiptarët jashtë vendin janë ‘kartëvizita’ e Shqipërisë përtej kufinjve të saj. Ai theksoi se promovimi i vendit vjen nga emigrantët në diasporë, që reklamojnë kulturën dhe traditat e vendit.

 

“Shqipëria është një vend gjeografikisht i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Sot qindra mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi.

 

Diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartvizita e shqiptarisë në botë. Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqiperine. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin”, tha ai.

 

Begaj falenderoi shqiptarët e diasporës për kontributin e dhënë, ndërsa nënvizoi se do të vijojë puna për të qenë sa më pranë brezave të rinj që rriten jashtë vendit.

 

“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga Institucionet shtetērore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton.

 

Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndaj, roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët është parësor”, shtoi ai.

 

Begaj kërkoi që shqiptarët jashtë vendit të ruajnë brez pas brezi traditat dhe gjuhën, duke mos e lënë atë të harrohen nga fëmijët e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *