Subscribe

Sektori i ndërtimit po shënon një rritje të shpejtë këto dy vitet e fundit, për shkak të numrit të madh të lejeve që janë dhënë kryesisht në kryeqytet. Vëllimi shitjeve është rritur vetëm në zonat periferike të Tiranës, ndërsa ka rënë në qytete e tjera si dhe në bregdet. Por kjo tendencë e lulëzimit të këtij sektori nuk po mbështetet me kredi të re nga bankat.

 

Këtë fakt e ka konstatuar edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj të stabilitetit financiar për 6 mujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e sektorit bankar raportojnë për një nivel thuajse të pandryshuar të tepricës së kredisë për blerje të pasurive të patundshme. Kredia për këtë sektor zë 13.7% të tepricës së kredisë së bizneseve, duke mbetur dukshëm poshtë nivelit prej 20 %, të regjistruar gjatë harkut kohor 2007-2011.

 

Raporti evidenton më tej se 75 % e pronave për banim apo qëllim tregtar janë blerë me kredi dhe kjo vlerë është e ngjashme me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por teksa ndërtimi ka shënuar rritje, administrata tatimore ka njoftuar se sektori në tërësi ka shënuar rënie të xhiros.

 

Duke ju referuar periudhës janar-gusht 2018 ndërtimi së bashku edhe me sektorin e karburanteve kanë shënuar rënie të qarkullimit, ndaj dhe tatimet njoftojnë se subjektet në të dy tregjet do të jenë objekt i kontrolleve.

 

Sipas tatimeve qëllimi nuk është penalizmi i tatimpaguesve, por ajo i bën thirrje bizneseve që të korrigjojnë vetëdeklarimet, pasi nuk do të tolerohet shkelja e ligjit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *