Kryeministri Edi Rama shprehet se buxheti për vitin 2021 ka pioritet rindërtimin.

Në konferencën me gazetarët këtë të martë, kreu i qeverisë tha se bonusi i qirasë do të vijojë të jepet deri në përfundim të rindërtimit të të gjitha shtëpive.

Rama tha se është parashikuar fondi prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qirasë. Ndërkohë, deklaroi se në Shijak janë mbi 270 banesa individuale që do të jenë gati në fund të nëntorit. Ai tha mes të tjerash se brenda muajit dhjetor, familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shijak do të hyjnë në shtëpitë e reja.

“Me Durrësin lajm i mirë është se më në fund kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe tani jemi gati për linjën përfundimtare. Kemi edhe një lagje tjetër të re, më saktë një bllok pallatesh të reja, në Krujë, për të cilin po punohet intensivisht. Në Shijak kemi mbi 270 banesa individuale, që parashikohet të jenë gati në fund të nëntorit dhe brenda muajit dhjetor të gjitha familjet do të hyjnë për të festuar vitin e ri aty. Gjithashtu, po përfundon projekti i madh i infrastrukturës për lagjen e re në Durrës, që do të ndërtohet në zonën e Spitallës, dhe që do të jetë një lagje me standarde optimale, ashtu sikundër një vlerë e shtuar në atë zonë, ku po merr formë dhe ekoparku.”

Rama shtoi se në total janë hapur 19 kantiere ndërtesash, punimet e të cilave do të përfundojnë në 2-3 muajt e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *