Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë të ditur se procesi mësimor pas pushimeve të dimrit do fillojë në datë 11 janar dhe jo 4 siç ishte parashikuar në urdhrin fillestar. Vendimi për shtyrjen e nisjen e semestrit te tyre, sipas ministres Kushi, është marrë në bashkëpunim me komitetin teknik të ekspertëve referuar dhe situatës së shkaktuar nga pandemia.
“EVIS KUSHI – MINISTRE E ARSIMIT RINISE DHE SPORTEVE
Por gjithsesi kjo është java e fundit kanë mbetur gati dhe tre ditë nga java që vjen që do të vazhdojë në po të njëjtin skenar ndërkohë që për vitin e ardhshëm shkolla do të fillojë jo në datën 4…Natyrisht në varësi të dinamikës së pandemisë mund të ketë dhe vendime të tjera por për momentin data 11. Gjate ditëve në vazhdim ne do të ofrojmë dhe çdo udhëzim tjetër që është i nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.”
Sa i takon zhvillimit të mësimit të alternuar, ministrja tha se do të vazhdojë të aplikohet edhe në shkolla.
“Është një skenar fleksibël që varet nga specifikat e çdo shkolle, nga numri i nxënësve, nga hapësirat e çdo shkolle dhe situata e pandemisë. Sepse në zonat periferike në zonat e largëta vihet re që numri i infektimeve është shumë i ulët. Ndërkohë që skenari i dytë i kombinuar aplikohet më shumë në ato shkolla të mëdha që kanë një numër të madh nxënësish ku numri i të infektuarve është më i lartë dhe rreziku i përhapjes së virusit gjithashtu është më i madh.”
Por shumë nxënës dhe prindër janë ankuar se procesi mësimor online ka rezultuar i dështuar, pasi fëmijët nuk arrijnë të marrin dijet në distancë. Kjo edhe për shkak të vështirësive që lidhen me funksionimin e platformave online. Problematikat e shumta në këtë drejtim janë pranuar edhe nga vetë mësuesit.





