Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë ende larg një zgjidhjeje përfundimtare që do të zhbllokonte procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

 

Gjatë një interviste për mediat në Shkup, presidenti Stevo Pendarovski nënvizoi se dy vendet vijojnë të kenë përplasje në qëndrimet e tyre ndaj historisë.

 

STEVO PENDAROVSKI

PRESIDENT I MAQEDONISE SE VERIUT

 

“Nuk mbahet mend që një negociator apo bashkëbisedues grek, në atë kohë, të vinte dhe t’i thoshte negociatorit maqedonas – ti nuk je maqedonas. Fatkeqësisht, situata të tilla, jo formalisht, ndodhin në komisionin historik me Bullgarinë. Historianët maqedonas janë shënjestër e ofendimeve nga historianët bullgarë, të cilët po punojnë prej disa vitesh, për të arritur një zgjidhje rreth përshkrimit të figurave të rëndësishme të historisë në librat, në të dy shtetet.”

 

Pendarovski shtoi se ka pasur një kthesë në kërkesat e Sofjes për integrimin Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

 

STEVO PENDAROVSKI

PRESIDENT I MAQEDONISE SE VERIUT

 

“Pala bullgare ndryshoi narrativen dhe anashkaloi marrëveshjen tonë dypalëshe, e cila nuk thoshte se komisioni historik dhe harmonia atje do të ishte kusht për hyrjen tonë në BE. Askush nuk mund të garantojë se sa do të qëndrojë në pushtet qeverisja aktuale politike në Bullgari dhe çfarë kërkesa mund të ketë për ne. Qeveria e Petkovit mund të zgjasë 7- 8 vjet. Deri në hyrjen tonë formale në BE. Qeveria e ardhshme do të thotë – ato që ka firmosur qeveria e mëparshme, ishin tradhti të çështjes sonë, ne nuk na intereson.”

 

Këto deklarata vijnë në një kohë ku tensionet mes dy vendeve janë rritur, pasi disa ditë më parë në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut u hap një klub kulturor bullgar me emri e “Vanço Mihajllovin”, figurë historike për bullgarët, por që zyrtarët maqedonas, e konsiderojnë si “fashist”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *