Muaji gusht ka shënuar një numër të lartë aksidentesh në qarkun e Fierit, me pasojë tre humbje jete dhe 9 të plagosur rëndë. Sipas shefit të sektorit të Policisë Rrugore, Altin Dervishi, ndër shkaqet kryesore kanë qenë mosrespektimi i normave të shpejtësisë, parakalimi i gabuar, ndryshimi i menjëhershëm i korsisë dhe ndërprerja e menjëhershme e rrugës jo vetëm nga automjetet, por edhe nga këmbësorët.
Po sipas Dervishit, akset kryesore më problematike kanë qenë kryesisht ato që lidhin fshatrat e mëdha të qarkut. Nisur nga numri i lartë i aksidenteve, janë shtuar edhe kontrollet policore. Gjatë muajit gusht në Fier janë vendosur mbi 6 mijë masa administrative, nga të cilat mbi 4 mijë për shpejtësi, të tjerat për parakalime të gabuara si dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Përdorimi i automjeteve nga adoleshentët mbetet një tjetër problematikë, thotë Dervishi. Shefi i qarkullimit ka apeluar për më shumë kujdes nga ana e prindërve për të mos lejuar fëmijët në timon.
Dy ditë më parë, një aksident i freskët në Delvinë i mori jetën dy motrave, ndërkohë që shoqja e tyre mbeti e plagosur rëndë. Mjeti i viktimave u përplas me një makinë që drejtohej nga Kevin Norra, punonjës i Ministrisë së Brendshme. Ai bëri një parakalim të gabuar dhe rezultoi se ishte në gjendje të dehur.
/vizionplus.tv





