Reforma Zgjedhore, Peleshi i kërkon Komisionit të Venecias ekspertë në Shqipëri, Gjiknuri dhe Bylykbashi i drejtohen ODIHR-it

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord të kërkojnë asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë për çështjet kryesore të Reformës Zgjedhore. Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i ka dërguar një letër presidentes së Komisionit të Venecias, përmes së cilës kërkon organizimin e një vizite të ekspertëve të këtij institucioni në Shqipëri.
Qëllimi i vizitës është diskutimi i rekomandimeve që Komisioni i Venecias dha pak muaj më parë për projektligjin “Për financimin e partive politike”.
Ndërkohë, dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, i janë drejtuar me një kërkesë ODIHR-it për asistencë me ekspertë lidhur me çështjet kryesore të reformës.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike depozitoi në Komisionin e Posaçëm propozimet e saj për “Ndarjen e shtetit nga partia”. Këto propozime pritet të diskutohen me ekspertët e ODIHR-it në kuadër të punës për reformën zgjedhore.
/vizionplus.tv




