Forumi “E ardhmja e ekonomisë”, prezantohen 200 kompanitë më të mëdha në Shqipëri për vitin 2025, mes tyre edhe “Concord Group”
Forumi i biznesit, “E ardhmja e ekonomisë”, bëri bashkë përfaqësues të institucioneve financiare dhe të biznesit në Shqipëri, të cilët ndanë eksperiencat e tyre mbi sfidat e kësaj fushe. Ata folën gjithashtu për rritjen e produktivitetit dhe përshtatjen me standardet e Bashkimit Europian.
Në forum, ku u prezantuan 200 kompanitë më të mëdha në Shqipëri për vitin 2025, pjesëmarrësit dhe panelistët evidentuan nevojën për një model zhvillimi më të orientuar drejt prodhimit, eksporteve dhe konkurrueshmërisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ekonomia ka shënuar rritje rreth 4%, inflacioni është mbajtur rreth objektivit prej 3%, ndërsa borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse.
“Qëllimi është të kemi një rritje të qëndrueshme, të bazuar te produktiviteti, një rritje afatgjatë dhe të jemi gjithmonë të përshtatur me standardet e Bashkimit Europian“, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Nga ana tjetër, CEO i Concord Group, Artan Dulaku, u ndal te sfidat e ndërtimit. Dulaku u shpreh se sektori mbetet aktiv, por infrastruktura nuk po ecën me të njëjtin ritëm.
“Padyshim që ka sfida, sidomos në pjesën e tregut rezidencial. Gjykoj që nuk ka gjë për tu shqetësuar sepse fasha e ulët dhe e mesme funksionon, ajo që duket që do jetë në krizë ëhstë pjesa ‘high’ e tregut, aty shoh që do ketë vështirësi. Ndërkohë që ne po bëjmë të pamundurën për të performuar në sektorinë tonë, infrastruktura nuk po na ndjek dhe kjo e ngadalëson procesin në fjalë”, tha CEO i Concord Group, Artan Dulaku.
Gjatë fjalës së mbajtur në forum, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, kritikoi ndryshimet e shpeshta fiskale, duke argumentuar se ato krijojnë pasiguri për bizneset pikërisht në momentin kur kërkohet një mjedis më i qëndrueshëm për investime.
“Po ndryshohen gjërat edhe një herë, duke ndryshuar kontekstin ndërsa bizneset janë në mes të zbatimit të tyre. Kjo paqëndrueshmëri e bën vërtet sfidë tërheqjen e investimeve të huaja direkte,”, Grant Van Cleve
Sipas Van Cleve, Shqipëria ka potencial për të tërhequr kapital në sektorë si energjia, logjistika, teknologjia dhe shërbimet e biznesit, por për ta kthyer këtë potencial në investime konkrete nevojiten përmirësime në mënyrën e hartimit dhe zbatimit të politikave publike.
/vizionplus.tv




