E enjte, 19 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“I dhatë thërrime dhe grimca qesharake pensionistëve vjet”, Berisha: Njerëz të pashpirt

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për tallje me pensionistët, duke kritikuar masën e rritjes së pensioneve të dhënë një vit më parë. Sipas tij, dyfishimi i bonusit apo i shumës së dhënë më parë nuk përbën një zgjidhje reale për vështirësitë ekonomike të kësaj kategorie.

“Po çfarë u dhatë vitin e kaluar? U dhatë thërrime dhe grimca qesharake. Njerëz të pashpirt. Tani bërtisni se po dyfishoni atë që dhatë vitin e kaluar. Paratë janë të gjitha”, deklaroi Berisha.

Gjatë një deklarate për mediat, kreu i PD-së prezantoi edhe propozimet e tij për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke kërkuar që asnjë pension në Shqipëri të mos jetë më i ulët se 200 euro.

Berisha kërkoi gjithashtu rritje me 50% të pagave të ulëta dhe me 30% të pagave të mesme, ndërsa për pagat e larta propozoi të mos ketë asnjë rritje.

Reklamë

Sipas tij, këto masa mund të financohen përmes përgjysmimit të menjëhershëm të shpenzimeve operative të administratës dhe shkurtimit të fondeve për tenderat dhe prokurimet publike.

Sali Berisha: Përgjysmim i menjëhershëm i të gjitha shpenzimeve operative është absolutisht pa asnjë pasojë në funksionimin e administratës, përkundrazi krijimin e një mjedisi më transparent dhe më pak korruptiv.

E paimagjinueshme. E kuptoni njëherë ç’do të thotë? Drejtorët me tre vetura. Asnjë veturë. Zëvendësministrat me dy vetura. Asnjë veturë. Shtesë në rrugë për mjetin e udhëtim. Personal ta kenë, shtesë për naftën. Autobusin, shtesë për biletën. Ky ishte standardi i mëparshëm.

Dhe vetëm duke hequr një veturë të zëvendësministrave u kursyen 46 milionë euro. Prandaj nuk ka rritje rrogash.

Më tej, Berisha u ndal te pagat, duke pretenduar se rritja e parashikuar nga qeveria është e pamjaftueshme dhe duke kërkuar rishpërndarjen e fondeve në favor të punonjësve me paga të ulëta dhe të mesme.

Sali Berisha: Rritje me 50 përqind të rrogave të ulëta. Me 30 përqind të rrogave të mesme. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Asnjë qindarkë! Po, rrogat e ulëta do rriten. Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro. Rritja e rrogave të ulëta në 50 përqind dhe rrogave të mesme në 30 përqind përballohet pa asnjë vështirësi. Pa asnjë pasojë sepse këta kanë lënë për tenderat dhe për prokurimet 2.2 miliardë euro.

Aty ku këta vjedhin, sipas KLSH, 90 përqind të fondit të investimit. Zhduket. Këta pra lënë për investime, i rrisin në mënyrën më të pabazuar dhe të tjerët, pensionistët, rrogëulëtit i lënë të numërojnë kafshatat.

Asnjë qindarkë. Rritja e parashikuar e rrogave është qesharake. Pra rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 përqind. Rrogat e mesme me 30 përqind. Asnjë qindarkë rrogat e larta.

Kreu i opozitës argumentoi se fondet për këto rritje mund të sigurohen përmes reduktimit të shpenzimeve administrative dhe rishikimit të fondeve të parashikuara për prokurimet publike.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.