Banka Botërore si institucioni ndërkombëtar që po negocion me qeverinë për reformimin e skemës së pensioneve ka evidentuar dy problematika që has sot skema, si dhe ka një sugjerim. Sipas zyrtares së bankës për Ballkanin Perëndimor, rishikimi ligjor që u bë në vitin 2014 ka patur rezultate pozitive, por ai nuk mjafton.
Plani i qeverisë është vijimi me bonuse për kategorinë e pensionistëve. Mosha e daljes në pension nuk ndryshon, ndërsa fokusi kryesor është formalizimi i tregut të pagave.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi tha se futja e kontributeve private nuk mund të bëhet pa ndihmë nga shteti.
Z.Gjokutaj shtoi se shuma që fut buxheti i shtetit çdo vit në skemë, bazuar dhe nga vitet e kaluara, është 250 milionë euro.
Intervista e plotë:
Një problem universal në skemën e pensioneve kudo në botë është raporti që krijohet midis kontribuuesve dhe masës që shpërndahet te përfituesit. Si konsiderohet ky raport aktualisht në Shqipëri?
Gjokutaj: Ky është padiskutim një problem, pasi skema mbahet nga kjo. Por që ta konsiderojmë brenda asaj zone jo të sigurt, por afërsisht të sigurt, raporti në zonat evropiane është deri në 2 kontribuues për një përfitues, pra paguajnë dy, përfiton njëri. Në Shqipëri ka ardhur në rënie, ka vajtur deri në 1.2 kontribuues për një përfitues. Dhe deri sa të shkojë në 1 me 1, pasi ka gjasa të ndodhë kështu, me alarmin që po lëshohet. Situata mund të krahasohet me enët komunikuese që kanë arritur të njëjtin nivel dhe nuk funksionojnë më.
Sugjerimi që vjen nga BB për të futur skemat private në Shqipëri. Sa e përshtatur është kjo ide në kushtet e ekonomisë së Shqipërisë dhe kësaj gjendjeje të skemës së pensioneve?
Gjokutaj: Banka Botërore ka propozuar një përmbledhje, pasi është konsultuar me ekspertë dhe me përvojat e saj, për ta përshtatur këtë skemë me Shqipërinë. Nisur edhe nga fakti që prej vitit 2014 është BB ajo që ka propozuar këtë lloj qasjeje. Problemi është se në fondet e sektorit privat nuk mund të bëhen pjesë pa një ndihmë apo plotësim kushtesh nga shteti. Këto përfshijnë krijimin e një tregu sa më formal, i cili zgjeron bazën dhe përfshin përfituesit në këto skema. Nga ana tjetër, skemat private duhet të harmonizohen me skemën aktuale të detyrueshme, sidomos tek bizneset, të cilat aktualisht nuk janë të detyruara t’i zbatojnë. U morën masa ligjore pasi u miratua një ligj që jep lehtësi fiskale në momentin që përfshihesh në këto skema. Për të qenë pjesë e tyre, duhet të plotësosh kriteret që përmenda më lart.
Sa është mesatarisht masa monetare apo shuma që fut buxheti i shtetit çdo vit në skemë që ajo të mbahet në këmbë?
Gjokutaj: 250 milionë euro është shuma që merret nga buxheti i shtetit dhe kalon te skema. Pra, ky është deficiti që skema nuk e mbush dot nëpërmjet atij numri që përmendëm më parë. Jo vetëm kjo, por edhe problemi i mosdeklarimit të pagave. Të dyja së bashku krijojnë këtë deficit./vizionplus.tv





