Kreu i PD-së Lulzim Basha i kërkoi këtë të martë kryeministrit Edi Rama që të mos justifikohet por të japë llogari për shpërndarjen e 1.2 milionë “maskave të skaduara”.

 

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar menjëherë shefi i qeverisë, i cili theksoi se maskat e shpërndara për t’u mbrojtur nga koronavirusi janë të sigurta.

 

Ai tha se maskat mbrojtëse janë prodhuar në SHBA dhe kanë ardhur nga një organizatë shqiptarësh që quhet “Bijtë e shqipes”. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri ka treguar edhe certifikatën e sigurisë, ku shtoi se data e skadencës së maskave nuk ka lidhje me përdorimin e tyre.

 

“Kjo është certifikata të nderuar kolegë, konkurrentë apo kundërshtarë jeni gabim sepse edhe sikur të kishit konstatuar vërtetë një problem që nuk është fare problem siç tregon certifikata e autoriteteve kompetente në Kanada. Nuk mundet dot të vijnë me trajlera nga Kanadaja pajisje mjekësore që nuk mund të përdoren apo akoma më keq që janë të rrezikshme. Të gabosh është njerëzore por të këmbëngulësh është djallëzore. Është djallëzore tani kur të gjithë duhet të jemi bashkë, jo vetëm që nuk keni përgjegjësinë më minimale ndaj atyre që përfaqësoni dhe ndaj këtyre njerëzve, rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqenat edhe i hidhni njerëzve tamam në këto momente helm në gjakun e tyre të trazuar, i turbulloni shikimin me shpifje. Certifikata, përshkrimi antimikrobial për maskat e fytyrës dhe e bën shumë të qartë që ajo data e skadencës që rrëmoni ju nuk ka lidhje fare me përdorimin e tyre dhe jep të dhëna shumë specifike mbi mbishkrimin dhe efikasitetin e tyre”, deklaroi kryeministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *