Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi e quajti marrëveshjen e 5 qershorit një ndyrësi politike mes palëve.

Sipas tij, pavarësisht se ndërhynë edhe ndërkombëtarët, kjo marrëveshje u bë thjesht për të vijuar krizën në Shqipëri.

“Marrëveshja e 5 qershorit ishte një ndyrësi politike, ngado që ta kapësh. Le të jenë vendas apo ndërkombëtarë ata, që e mbrojnë apo e dashurojnë, ajo sërish do të mbetet një monument i dëshirës për ta mbajtur Shqipërinë në vendnumuronë e krizave të rënda, që ka prodhuar dhe do të vijojë të gjenerojë abuzimi i frikshëm me pushtetin prej dekadash. Nuk ka rëndësi, nëse votohet apo rrëzohet më 30 qershor, dita kur është parashikuar fundi i kësaj sage të lodhshme dhe hipokrite, që vetëm me interesin publik nuk ka të bëjë fare. Edhe kjo hapja me përqindje e listave, që ka shpikur Edi Rama për t’ia vënë si samar marrëveshjes, me pretendimin se kështu ndoshta mund të quhet reformë elektorale, bie erë të keqe. Aq sa, sipas meje, nuk ia vlen fare diskutimi, se kush është më e mirë nga të dyja, pisllëku i pastër i 5 qershorit, apo hollimi i saj me livando, që po na shitet si plotësim i dëshirës së popullit për t’i zgjedhur vetë përfaqësuesit e vet”, tha Patozi në “Facebook”.

Për Patozin, nga gjithë kjo situatë e krijuar, e vetmja gjë që mund të përfitojnë shqiptarët mund të jetë nga mosmarrëveshja momentale mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

“Por tek e fundit, le të çajnë barkun me njëri-tjetrin Edi Rama me Lulzim Bashën, për këtë çështje, sepse vetë e kanë sjellë punën deri këtu. I pari sheh ëndrra shumë të këqija për shkak të zullumeve të mëdha të pushtetit të vet në këto 7 vjet. Dhe, siç e thotë edhe vetë, populli nuk është asnjëherë budalla kur mendon dhe voton. Kurse tjetri ka frikë të dalë në rrugë vetëm, ndonëse pretendon se po e pret një fitore madhështore, ngaqë ka parasysh se e ka thënë edhe herë të tjera këtë përrallë dhe s’para i ka dalë llafi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *