Parlamenti miraton sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin për vitin 2025 me vlerë 8.2 miliardë euro, i cili është më i madhi që Shqipëria ka pasur në 3 dekada.
Meqenëse ky është buxheti i fundit në prag të zgjedhjeve parlamentare, diskutimet në Kuvend u dominuan nga beteja elektorale për qeverisjen e vendit.
Opozita propozoi 55 amendamente të cilat përfaqësojnë programin e saj elektoral, duke nisur nga premtimi kryesor i PD që asnjë shqiptarë të mos marrë më pak se 200 euro të ardhura në muaj, qoftë pensionist, qoftë i papunë.
“Politikat tona janë për të nxitur të papunët. Synimi ynë kryesor është që të forcojmë programet e punësimit dhe të integrimit të atyre që janë forcë pune dhe jo të japim lëmosh duke mos synuar integrimin e tyre në tregun e punës”, tha Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë.
“Ju e quani lëmoshë, sepse ju paratë e qytetarëve që shkojnë për të ndihmuar qytetarët janë lëmoshë. Sepse paratë e qytetarëve sipas filozofisë suaj duhet të shkojnë në xhepat tuaja”, deklaroi Gazmend Bardhi.
Pensionistët duket se do të jenë në fokus të betejës se ardhshme elektorale, ndaj PD propozoi rritjen e pensioneve.
“Jetojnë në ekstrem varfëri, nuk ju intereson varfëria e tyre, por luksi juaj personal, mjafton të shikoni si jeni transformuar një pjesë e juaj nga koka tek këmbët. I thoni do shohim sa lekë ngelim nga ata që vjedhim ne, dhe në fund të shohim nëse ka ndonjë lekë për të rritur pensionet”, shtoi Bardhi.
“Ju keni shitur me artificë financiare hotel Dajtin, e shitët që të nxirrnit lekët e bonusit të gjelit të detit, kjo qeveri me bankën gjente lekët e pensionistëve me shitjen e hoteleve”, u shpreh Belinda Balluku.
Ashtu siç pritej të gjitha amendamentet e opozitës u rrëzuan nga shumica socialiste. Buxheti për vitin e ardhshëm është më i madhi, me vlerë prej 8.2 mld euro. Të ardhurat janë parashikuar në vlerën 7.5 miliardë euro ndërsa deficiti buxhetor është planifikuar në vlerën e 680 milionë euro.
Buxheti i vitit të ardhshëm kryefjalë ka investimet publike, të cilat për herë të parë arrijnë vlerën e 1.6 miliardë euro ose sa 6.2% e prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i lartë në 3 dekada. /vizionplus.tv





