Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi paketën e ‘Paqes Fiskale’ e cila do të shërbej për të lehtësuar biznesin në lidhje me pagesat ndaj shtetit.
Rama tha se nuk do të ketë me inspektorë nëpër biznese, por kjo do të bëhet me inteligjencë artificiale.
Për të zbuluar më shumë nga kjo paketë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Roland Zilin, ishte eksperti i ekonomisë Adrian Civici.
Civici u shpreh se “Paqja Fiskale” është një domosdoshmëri, një nevojë reale për të qartësuar shumë elementë, që sistemi fiskal deri më tani shpeshherë i ka komplikuar më shumë sesa i ka zgjidhur.
Sipas ekspertit të ekonomisë, problem kryesor është se sa të prirur janë bizneset që të deklarojnë realisht nivelin e fitimeve të tyre.
Intervista e plotë:
Sot u njohëm me disa detaje për atë që qeveria e quan “paqja fiskale”, ku në fokus është formalizimi i ekonomisë, nëpërmjet deklarimeve që do të bëjë biznesi i madh. Në dijeninë tuaj, a është kjo nismë elektorale apo realiste?
Civici: Pavarësisht se bëhet në një moment të fushatës elektorale, mendoj që është një domosdoshmëri, një nevojë reale për të qartësuar shumë elementë, që sistemi fiskal deri më tani shpeshherë i ka komplikuar më shumë sesa i ka zgjidhur. Termi “paqja fiskale” është një term i vjetër, i përdorur në disa vende, por më shumë sesa paqe fiskale, kjo është një marrëveshje për më shumë transparencë fiskale dhe një lloj kooperimi në partneritetin ndërmjet shtetit dhe biznesit për sa i përket marrëveshjes për nivelin e të ardhurave dhe për nivelin e taksave.
Qeveria thotë deklaroni më shumë fitim dhe do t’ju tatojmë me 5%, dhe në finale nuk do të keni kontrolle. A është kjo masë stimuluese për formalizimin e ekonomisë?
Civici: Për formalizimin, po. Por problemi dhe vështirësia kryesore është se sa të prirur janë bizneset që të deklarojnë realisht nivelin e fitimeve të tyre. Është një formë që ka të bëjë më tepër me transparencën. Megjithatë, mendoj që ky element shumë i rëndësishëm duhet të shoqërohet edhe me disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me atë që quhet qëndrueshmëri fiskale. Besoj se këto elementë dhe termi “paqja fiskale” mund të ishin më të kuptueshëm.
“Paqja fiskale” parashikon edhe falje detyrimesh dhe kamatëvonesash për një periudhë 5-vjeçare. A jemi përballë një amnistie të pjesshme me këto masa të propozuara nga qeveria?
Civici: Jo. Sepse amnistia fiskale ka një kuptim më të gjerë sesa kaq. Unë mendoj se më tepër kemi të bëjmë me një element që futet në termin “falje fiskale”. Qeveria fal, apo heq dorë nga prapambetja e disa detyrimeve, në emër të një periudhe të re, ku çdo gjë fillon nga e para me më shumë transparencë dhe më shumë rregull. Kjo është zbatuar në shumë vende të botës, dhe janë forma që përdoren më shpesh në vendet e Azisë.
/vizionplus.tv





