E hënë, 19 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

PS ndryshon ligjin për AKSHI-n, Malaj: Agjencia mund të bashkëpunojë me kompani private. PD: Cënohet siguria

Socialistët në Komisionin e Ligjeve vendosën me votat e tyre të ndryshojnë ligjin për qeverisjen elektronike, duke ndryshuar mënyrën si operon sot Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Deputeti socialist Erjon Malaj u ka vënë firmën ndryshimeve që parashikojnë se AKSHI, në ushtrimin e funksioneve operative të zhvillimit, administrimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve TIK, mund të krijojë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.

Reklamë

“Jo privatizim, por korporatizim fleksibël financiar, kontrolli publik nuk cenohet”, tha Erjon Malaj, deputet i PS

Por demokratët kundërshtuan ndryshimet, duke sjellë në vëmendje hetimet e SPAK-ut për tenderat që ka zhvilluar AKSHI dhe akuzat për grup të strukturuar kriminal që Prokuroria e Posaçme ka ngritur për ish-drejtoreshën e këtij institucioni dhe disa biznesmenë.

Reklamë

“Cilin problem doni të zgjidhni ju? Problemi sot është kriminalizimi i AKSHI-t. Ju duhet më parë të dekriminalizoni AKSHI-n, që agasët të mos kapin llokmën e luanit. Kjo nuk e zgjidh, sepse kjo do ta bëjë më keq, do ta bëjë edhe pa garë”, u shpreh deputeti i PD Enno Bozdo.

“Tenderat e AKSHI-t janë ndarë me revole nga koka. Kush na garanton që njësia e re nuk do të veprojë me të njëjtën gjë?”, deklaroi deputetja e PD Jorida Tabaku.

Por kritikat e opozitës nuk e ndryshuan qëndrimin e mazhorancës socialiste.

“Çdo lloj tentative për të hedhur baltë mbi një agjenci prestigjioze, për ta lidhur me insinuata, për ta sqaruar drejtësia se përgjegjësia e çdo zyrtari është individuale, i takon drejtësisë ta thotë fjalën e fundit”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.

Ndryshimet në ligj kaluan me votën pro të deputetëve socialistë, ndërkohë që demokratët votuan kundër./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë