Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar për herë të parë përplasjen e dhunshme mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për godinën që shërben si seli e PD-së. Duke folur në një bashkëbisedim me drejtuesit dhe presidentët e shkollave të mesme në Tiranë, Veliaj tha se ajo që ndodhi përpara disa ditësh nuk ndihmon imazhin e Shqipërisë.

 

“Fatkeqësisht, për një pjesë të madhe të botës, jo tonën, Shqipëria është akoma ajo e 97-ës. Ajo që ndodhi përpara disa ditësh nuk ndihmon me imazhin tonë. Si t’ia shpjegosh një të huaji që ajo ishte diçka e izoluar, është sherr për godinën e një nga 30 partitë? Nuk ia shpjegon dot se ai sheh vetëm atë imazh dhe thotë: ‘Bo bo! Këta qenkan akoma në 97-98!’ Sfida e madhe që kemi është që, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, të cilat sigurisht do të përfshijnë të rinj nga e gjithë Europa, të punojmë pak për imazhin e vendit”, tha Veliaj, teksa i ftoi të rinjtë të aplikojnë për projektet që do të zhvillohen në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë.

 

Veliaj nënvizoi se, gjenerata e re ka shansin që të sjellë një mentalitet të ri. “Mjafton të shikoje ato skena me njerëz që kanë rrezikuar jetën për 30 vite për partitë duke hipur nëpër shkallë e me shkopinj në duar, ajo skenë ma thyen zemrën, por nuk e ndryshon dot…. Nëse ai që në ‘92 ka vënë zjarr për partinë, nuk mund të ndryshojë dot tani, por gjenerata e sotme mund të ndryshojë”, deklaroi Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *