Pak ditë pas Samitit të Sllovenisë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se çështja e integrimit është tërësisht në dorë të Brukselit, pasi vendi ynë i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave. Në një interviste për një televizion spanjoll, shefi i qeverisë Rama, ka theksuar se pavarësisht qasjes së Bashkimit Evropian Shqipëria do të vazhdojë të punojë për modernizimin e vendit.

 

“Mund të them se tashmë nuk flitet më për çfarë duhet të bëjmë ne, por për mënyrën si kanë vendosur të punojnë ata me ne dhe në rajon. Sigurisht që jemi vende të cilët do të duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Por e meritojmë të hedhim tashmë hapa të tjerë përpara dhe të fillojmë negociatat formale.”

 

Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se në Shqipëri nuk ka ndikim rus, apo kinez, pasi BE është e vetmja rrugë për vendin tonë.

 

“Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufij evropianë, jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e  lirë.”

 

Ndërsa në raport me Kosovën, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka ardhur koha që Spanja ta njohë atë.

 

“Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.”

 

Samiti i 6 tetorit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE konfirmoi vullnetin e Brukselit zyrtar për procesin e zgjerimit; por nuk solli asnjë hap konkret për Shqipërinë e Maqedonine e Veriut që pret datën për konferencën e parë ndërqeveritare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *