Subscribe

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është pritur nga homologja Vjosa Osmani në vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë.

 

Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara si dhe mbështetja në proceset integruese ishin në fokus të takimit mes liderve.

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy krerët e shteteve u shprehën edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”. Presidenti Pendarovski theksoi nevojën për gjithëpërfshirje si dhe mbështetje në parimet e procesit të Berlinit.

 

STEVO PENDAROVSKI

 

PRESIDENT, MAQEDONI E VERIUT

 

“Në vitin 2019 unë isha politikani i parë i cili shprehu rezerva për iniciativën “Ballkani i Hapur” pasi kjo nismë ka nevojë për gjithëpërfshirje, derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të ketë sukses. Mund të konsiderohet si një nga instrumentet për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar por domosdoshmërisht duhet të trajtohet si pjesë e procesit të Berlinit që ka dhënë rezultate shumë të mira. ”

 

Ndërkohë, presidentja e Kosovës përsëriti qëndrimin kundër iniciativës së bashkëpunimit rajonal, për të cilën u shpreh se po përdoret nga Serbia për interesat e saj hegjemoniste.

 

VJOSA OSMANI

 

PRESIDENTE, KOSOVE

 

“Ne e kemi bërë të njohur qëndrimin tonë prej kohësh tashmë, kjo iniciativë e filluar në Novi Sad që e ka ndryshuar emrin disa herë, nuk është ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor që ndër të tjera kanë të bëjnë me gjithëpërfshirje dhe nuk e pranon parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Beogradi po tenton ta shfrytëzojë për interesat e saj hegjemoniste.”

 

Presidentja Osmani në fjalën e saj shtoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një urë lidhëse e fuqishme mes dy vendeve dhe një shtyllë e stabilitetit por edhe shtyrjes përpara të procesit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *