Portugalia është bërë vendi i katërt që njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, pas Kanadasë, Australisë dhe Britanisë së Madhe.
Ministri i Jashtëm portugez, Paulo Rangel, njoftoi të dielën se vendi i tij ka marrë vendimin për të njohur shtetin e Palestinës. Ai theksoi se Portugalia mbështet zgjidhjen me dy shtete si e vetmja rrugë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon.
Rangel u shpreh se një armëpushim i menjëhershëm është urgjent dhe nënvizoi se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë formë kontrolli në Rripin e Gazës apo përtej tij. Ai gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.
Ministri portugez theksoi se njohja e Palestinës nuk e zhbën katastrofën humanitare në Gaza, duke dënuar gjendjen e urisë, shkatërrimin dhe situatën e rëndë edhe në Bregun Perëndimor./vizionplus.tv





