Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës së opozitës, këtë të shtunë ku evidenton faktin që zhvendosja nga kryeministria tek Parlamenti ishte në kundërshtim të plotë me ligjin, pasi nuk ishte theksuar ky itinerar në kërkesën që opozita kish bërë në polici për lejen e tubimit.

 

Sipas njoftimit për mediat bëhet me dije se nga tensioned mes protestuesve tre efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar.

 

Gjithashtu në reagimin e saj Policia thekson se të lënduar pati edhe persona mes tubuesve për shkak të hedhjes së gazit në momentin kur turma çau kordonin e policisë.

 

“Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.

Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin, duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *