Subscribe

10 ditë pas kërkesës së prokurorisë, Valdrin Pjetri ka pranuar të japë gjurmët e gishtave.

 

I dorëhequr nga posti i kryetarit të bashkisë së Shkodrës pas denoncimit nga partia demokratike të dënimit të tij me burg në Itali, Pjetri mësohet se është paraqitur të hënën në laboratorin shkencor të policisë së shtetit në Tiranë ku ka depozituar gjurmët e tij daktiloskopike.

 

Këto gjurmë do t’i shërbejnë organit të akuzës për ti krahasuar me materialet të cilat i janë kërkuar autoriteteve italiane që në datën 5 gusht kur ka nisur edhe verifikimi i Pjetrit në bazë të ligjit te dekriminalizimit.

 

Partia demokratike publikoi një dokument nga kuestura e Firences që sipas saj tregon se Pjetri ka qenë i dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për shpërndarje droge.

 

Prokuroria e përgjithshme ka administruar nga komisioni qendror i zgjedhjeve edhe formularin e vetëdeklarimit të Pjetrit i cili rrezikon të akuzohet për deklarim të rremë.

 

Çështja e Pjetrit i cili në zgjedhjet e 30 qershorit garoi i vetëm në qytetin verior është kthyer në qendër të debatit politik të ditës ndërsa të hënën në Shkodër u konstitua mes tensioneve e protestave edhe këshilli bashkiak si dhe u zgjodhën 3 nënkryetarët e bashkisë.

 

Pas akuzave edhe kryeministri Rama u shpreh se Pjetri nuk është kriminel, por ai i ka rrugët e ndara me PS.

Ndërkohë Voltana Ademi vijon të drejtojë bashkinë dhe ka shprehur vendosshmërinë për të mos liruar zyrën deri në zhvillimin zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *