Subscribe

Të hënën, Lulzim Basha mbledh demokratët për të ngritur komisionin që do të vlerësojë kandidatët e propozuar për deputetë. Nga mbledhja e dy forumeve më të larta vendimmarrëse, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të dalë edhe komisioni që do të bëjë seleksionimin e emrave të propozuar nga të 12 qarqet.

Dy nga pesë anëtarët që do të bëjnë vlerësimin janë Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj. Të hënën pritet të zgjidhen edhe tre anëtarët e tjerë që jo domosdoshmërisht duhet të vijnë nga radhët e demokratëve. Ata mund të jenë përfaqësues të shoqërisë civile, të medias apo akademikë.

Pas vlerësimit të çdo kandidati për deputet duke pasur në vëmendje përmbushjen e kritereve të sanksionuara në statutin e ndryshuar të Partisë Demokratike, emrat e përzgjedhur do të votohen nga anëtarësia.

Gjatë gjashtë javëve degët e Partisë Demokratike nëpër rrethe propozuan një numër të lartë kandidatësh për deputetë.  Në listën e emrave krahas atyre që vijnë nga jashtë partisë, si studiues, shkrimtarë apo sportistë të njohur janë edhe disa të gardës së vjetër, njëherësh dhe kritikë të Lulzim Bashës, si ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Gushti për demokratët do të jetë më tepër një muaj pune se pushimi. Përveç përzgjedhjes së kandidatëve për deputet, angazhimi është përmbyllja e programit qeverisës dhe përgatitja e strukturave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *