Subscribe

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vijojnë të jenë të përcarë në idetë e tyre për formimin e një koalicioni përmes të cilit do të përfaqësoheshin në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 12 prill.

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka nxitur reagime të ashpra me deklaratën e tij se shqiptarët duhet ti bashkohen BDI-së e të mos rrinë rrugëve.

 

ALI AHMETI

 

KRYETAR I BDI

 

“Dëgjoj zëra që zihen ca, se ky ka qenë BDI e ai ka qenë BDI! Këta të vegjlit që kanë ikur prej të nëna e madhe të gjithë kanë qenë në Bashkimin Demokratik për Integrim. Dhe BDI është vërtetë nëna e madhe që ju thotë mos u zini por ejani te shtëpia juve, mos rrini rrugëve”

 

Duke I’u përgjigjur Ali Ahmetit, zëdhënësi I Lëvizjes Besa Arijanit Hoxha deklaroi se partitë shqiptare duhet të kandidojnë në dy grupime.

 

ARIJANIT HOXHA

 

ZEDHENES I LEVIZJES BESA

 

“Nëse BDI ka kapacitet që të jetë ajo ‘nëna e madhe’ e partive tjera, të paktën partitë që i ka në qeveri le të mundohet që t’i bashkojë rreth vetes dhe të shkojmë në zgjedhje si dy blloqe. Ata që janë në qeveri dhe ne që jemi në opozitë. Për partitë, të cilat BDI i ka partner koalicioni në qeveri lindin dyshime shumë të mëdha se janë pikërisht ato që BDI i lëshon të bëjnë këto përçarje, apo në një formë stigmatizimin e partive politike tjera që të mos mund të bashkohen apo të mos mund të dalin në blloqe sa më të vogla”.

 

Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët e akuzon kreun e BDI-së si përcarësin kryesor të shqiptarëve i cili përmes kësaj rruge ka arritur të jetë në pushtet.

 

“Ali Ahmeti duhet të japë llogari për dy dekadat qe është pjese e pushtetit, dhe jo të japë deklarata joserioze madje cinike që nuk i ngjasojnë një kryetari të partisë. Ai nuk mund të flasë për unifikim,pasi ai vetë është përçarësi më i madh dhe në bazë të këtij parimi ai ka ‘sunduar’ duke qëndruar në pushtet”-deklaroi zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

 

Ndërsëa zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani tha se shqiptarëve nuk u nevojitet,siç e quajti ai “nëna e madhe e pa moralshme”.

 

Mundësitë për një koalicon trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës janë më të mëdha por ende nuk ka hapa konkretë në këtë drejtim. Ndërsa kreu i Partisë demokatike për shqiptarët, Menduh Thaci ka kundërshtuar kategorikisht bashkëpunimin me partitë e tjera shqiptare, duke mos e përjashtuar mundësinë që në zgjedhjet e 12 prillit të bashkëpunojnë me LSDMN-në në pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *