Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi paralajmëroi se shumë shpejt situata politike do të agravohet përsëri. Në “Facebook”, Patozi tha se në vend po mbizotëron një paqe e pashpjegueshme. Sipas tij, të gjithë krerët politikë kanë ulur tonet.

 

“Lideri global ka marrë një pamje shenjtori, që na gostit çdo mëngjes me pasazhe të Biblës dhe të Kuranit, duke na ftuar që të çlirohemi prej djallit dhe t’i përkushtohemi virtyteve për të marshuar të qetë drejt parajsës. Edhe Presidenti duket shumë në formë dhe i relaksuar. Dikur kërkonte me qiri rastet për të sulmuar me shkak dhe pa shkak qeverinë, ndërsa tani ka nisur gjuetinë e mundësive për ta përshëndetur mazhorancën. Nuk ka më sokëllima lufte dhe as premtime për vetëvrasje në mbrojtje të kushtetutës, por ngjan më shumë si një rikthim i kohërave të dikurshme, kur predikohej “qetësia dhe dashuria”. Në cepin tjetër, lideri i dy revolucioneve të mbetura në tentativë ka vendosur të bëjë qingjin e urtë, që pi dy nëna.”

 

Por për Patozin, kjo paqe nuk mund të mbizotërojë edhe për shumë kohë sepse lufta politike do të rikthehet sërish.

 

“Në Shqipëri sot ka një dakordësim të qartë të bashkëautorëve të këtij degradimi politik për të ruajtur privilegjet e veta, i cili mund të ndodhë edhe në distancë. Problemi është se kjo paqe e papritur dhe e pashpjegueshme nuk mund të vazhdojë gjatë. Është jashtë çdo dyshimi se do të biem shumë shpejt në krizë dhe do të rikthehen sërish daullet e luftës, menjëherë sapo bashkëfajtorët e urtësuar sot si me magji t’i hedhin lopatën e fundit me dhe’ përpjekjes për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *