Subscribe

Nesër deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të votojnë pro shkarkimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke shënuar rastin e parë të shkarkimit të kreut të shtetit në 3 dekadat e fundit.  Pas një muaj hetimi, komisioni i posaçëm ka hartuar një raport prej 373 faqesh; ku listohen shkeljet e rënda të kushtetutës që sipas deputetëve ka kryer Ilir Meta, para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

 

Në këtë raport janë përfshirë të gjitha deklaratat publike të kryetarit të shtetit dhe sipas komisionit rezulton “qartësisht se Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, anti-maxhorancë, e cila bie ndesh me nenin 89 të Kushtetutës ku parashikohet se “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë̈ detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”.

 

Në raport citohen gjithashtu thirrjet e presidentit të cilat kanë nxitur dhunë e konflikt para zgjedhjeve. Por përveç rolit që Ilir Meta ka luajtur gjatë fushatës zgjedhore, deputetet kanë vënë në dukje edhe një tjetër shkelje të Kushtetutës në rastin e sulmeve të presidentit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

RAPORTI I KOMISIONIT HETIMOR

“Të gjitha këto shkelje konsiderohen nga ky komision si shkelje të rënda të Kushtetutës. Për sa më sipër Komisioni hetimor, i propozon Kuvendit: Shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.”

 

 

Por puna e deputetëve ka shtruar rrugën edhe për ndjekje penale të presidentit të republikës Ilir Meta e në raport saktësohen nenet që ai ka shkelur.

 

“Figura e veprave penale që parashikohen nga neni 223 i Kodit Penal (thirrjet publike për veprime të dhunshme) dhe nga neni 266 i Kodit Penal (thirrja për urrejtje nacionale) nuk kërkon ardhjen e pasojës. Për të kryer hetimin ndaj Presidentit të Republikës organet e hetimit nuk kanë nevojë të listojnë sa akte dhune, vetëgjyqësie, apo përvetësimi të titullit apo detyrës shtetërore kanë shoqëruar thirrjet për dhunë. Ato duhet vetëm të ndajnë nëse thirrja drejtohej kundër zgjedhjeve, rezultatit të tyre dhe shumicës së zgjedhur në rrugë demokratike (rendit kushtetues), apo drejtohej kundër pjesëve të popullsisë.”

 

Shkarkimi i Presidentit të Republikës bëhet me votim të fshehtë dhe duhen 94 deputetë që kjo të ndodhë. Por numri i votave nuk është problem për mazhorancën socialiste, pasi mjafton të shohim që 97 deputetë votuan pro ngritjes së komisionit hetimor për Ilir Metën. Megjithatë edhe nëse parlamenti e miraton nesër shkarkimin, Ilir Meta do të vazhdojë të jetë kryetari i shtetit pasi vendimin final e merr gjykata kushtetuese. Kuvendi brenda 5 ditëve duhet të çojë vendimin për shkarkim në gjykatë; por vetë kushtetuesja nuk ka afat për  të vendosur për fatin e Ilir Metës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *