Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, reagon menjëherë pas mbylljes së mbledhjes në Komisionin e Ligjeve duke e quajtur këtë akt të paprecedentë.

 

Përmes një deklarate për mediat Paloka e ka cilësuar mbylljen e komisionit nga kryetari Ulsi Manja të paligjshme.

 

“Pas gjithë skandaleve, për të cilat jeni bërë dëshmitarë, skandaleve të Ramës, skandaleve të qeverisë dhe ministrave të tij, seanca e sotme me të ashtuquajturën Prokurore të Përkohshme, kishte rëndësi të madhe dhe për këtë arsye ne si deputetë të opozitës ishim pothuajse të gjithë të pranishëm aty. Jo sepse njohim një prokurore, që siç e thamë aty nuk ka asnjë tagër kushtetues për të kryer detyrat e kryeprokurorit, por sepse, pikërisht shpresonim që të paktën “Zonja PPP” të jepte përgjigje për disa nga çështjet më të rëndësishme, skandaleve më të mëdha që kanë plasur gjatë gjithë kësaj kohe.”

 

Paloka tha se kryetari Manja e mbylli mbledhjen, se pa që Arta Marku ishte në vështirësi për tu përgjigjur pyetjeve të opozitës.

 

“Asnjë prej deputetëve të opozitës nuk mori përgjigje. Siç e tha Klevis Balliu, asaj përveç emrave të tjerë, nga sot mund t’i themi “Zonja nuk e di”, sepse mesa duket ka vajtur aty dhe zbaton vetëm urdhërat dhe porositë që i jep partia dhe asgjë më tepër. Por ajo që unë dua të denoncoj tani është ajo që ndodhi me komisionin. Fakti që Ulsiu, i cili dihet që ka një lidhje pak më të ngushtë sesa të tjerët me zonjën, duke parë që zonja ishte në vështirësi. Mbylli në mënyrë krejtësisht të parregullt komisionin, ndërkohë që ishte në kulmin e pyetjeve të cilat po drejtoheshin nga deputetët e opozitës. Nuk është rasti i parë, këtë e bën Gramoz Ruçi në seancat e tij të Parlamentit. Të njëjtën gjë bëri edhe Ulsi Manja edhe sot, duke mbyllur në mënyrë arbitrare zhvillimin  e punimeve të Komisionit të Ligjeve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *