Subscribe

Për të mbërritur në këtë moment të rëndësishëm e të duartrokitur nga të gjithë, u deshën negociata pa fund, një kalvar i vërtetë për politikën shqiptare. Pas pothuaj 2 vite konflikti, debatesh, ultimatumesh nga faktori ndërkombëtar, më 20 korrik u duk se marrëveshja ishte arritur dhe të gjithë do shkonin të votonin reformën në drejtësi. Lulzim Basha, kryetar i PD-së deklaroi nga selia blu se marrëveshja ishte arritur, mbi pikën e vetme që mbante peng votimin, rolin që Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtarë do të kishte në procesin e kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve, i njohur si Vetingu. Rreth një orë më pas, nga selia e Këshillit të Ministrave, kryeministri Rama vlerësoi arritjen e marrëveshjes politike. Marrëveshja u mundësua edhe si pasojë e ndërhyrjes së Komisionerit për Zgjerimin Johanes Han. Konsensusi i lajmëruar u përshëndet nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Por siç duket nuk ishte e thënë, që gjithçka të shkonte mirë, pasi opozita mbrëmjen e të njëjtës ditë që lajmëroi arritjen e marrëveshjes, shpalli një kusht të ri, konsensus për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të dy institucioneve të drejtësisë. Gjithçka e arritur u rrëzua si një kështjellë rëre. I menjëhershëm ishte reagimi i Ambasadës amerikan. Seancë e cila u hap, por që u la pezull për t’i lënë mundësi negociatorëve, për të gjetur kompromisin mbi kushtin e ri të opozitës. Ata që morrin drejtimin e negociatave ishin dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin, të cilët për 7 orë rresht në selinë e kryesisë së Kuvendit u takuan me kreun e PD-së Lulzim Basha, kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe socialistët Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj. Pas disa orë bisedimesh, ndërkombëtarët propozuar një formulë të re, e cila u bë pjesë e negociatorëve. Pas shumë kontaktesh, u deklarua arritja e marrëveshjes. U njoftua mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, ku do përktheheshin në projektligj, formula e re e kompromisit. Të 140 deputetët u mblodhën në seancën plenare për të votuar reformën në drejtësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *