Subscribe

Forca më e madhe e opozitës është pozicionuar kundër zyrtarizimit me ligj të fenomenit të nënave surrogate. Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë një takimi  me përfaqësues të “Koalicionin për mbrojtjen e familjes”, deputetë të PD e Partisë së Lirisë theksoi se këto parashikime ligjore do të dëmtojnë familjen shqiptare.

“Pasi futi konceptet e superspekulantit Xhorxh Soros për Prindin 1 dhe Prindin 2, tani zgjedh konceptin e fermës apo fasonerisë për nënë shqiptare. Zgjedh konceptin e dekonfigurimit të plotë të familjes”, tha Berisha.

Nga ana tjetër lideri i opozitës Berisha, kritikoi edhe parashikimet e reja ligjore për abortin.

“Hap diapazonin për abortin, për vrasjen e foshnjave. Me qëllimet më të mbrapshta, më antikombëtare, më çnjerëzore. Në një kohë kur standardi ekzistues është një standard botëror. Edi Rama nuk ndalet vetëm në konceptet e tij antifamilje, antishqiptare, por tani kërkon me ligj të nxisë sterilizimin në një vend në të cilin ka tre vite që vdekjet dominojnë mbi lindjet”, deklaroi Berisha.

Projekt ligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” është publikuar në faqen e dedikuar për konsultimin e ligjeve nga ekspertët, shoqëria civile apo edhe qytetarët.

Çështja më e debatuar deri më tani në këtë ligj është pjesa e nënave surrogate që për herë të parë vendoset në legjislacionin shqiptar dhe rregullon fenomenin e lindjes së fëmijëve nga një grua tjetër./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *