83 deputetë nuk do të ulen më në Kuvend në muajin shtator, prej të cilëve 45 i përkasin Partisë Socialiste dhe 21 Partisë Demokratike.
Për shumicën prej tyre angazhimi në politikë do të vazhdojë edhe pse nuk do jenë më në parlament.
“Patjetër më vjen keq. Por më shumë sesa keq, iu jam falënderuese atyre që më besuan votën dhe më dhanë mundësinë që të kem një rezultat të mire”, tha Etilda Gjoni, deputete e PS.
“Dua të përgëzoj këdo nga skuadra e PS që luftoi për të garuar në këtë garë, për të realizuar këtë rezultat që do e shohim të manifestuar në Parlamentin e ri. Kjo është punë skuadre dhe krejt mirënjohëse e falënderuese që garoi krah meje”, u shpreh Edona Bilali, deputete e PS.
Ndërsa deputeti socialist, Luan Duzha i cili nuk arriti të fitojë në 11 maj, reagoi për lajmet e publikuara në media se po hetohet për blerje të votave.
“Janë të gjitha gënjeshtra. As nuk kanë kontrolluar dhe as nuk më është sekuestruar telefoni, asgjë! Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg”, u shpreh Luan Duzha, deputet i PS.
Ndërkaq përtej debatit për standardin e zgjedhjeve, në Partinë Demokratike sapo ka nisur debati se çfarë do të bëjë partia më e madhe e opozitës pas humbjes së 4 radhazi.
“Keqardhje që flasim për vjedhje të zgjedhjeve por jo për zgjidhje si mund të dalim nga kjo situatë. I bashkohem Berishës në akuzat por a është Berisha zgjidhja?”, deklaroi Ferdinand Xhaferraj.
Ndërkaq Monika Kryemadhi e cila nuk garoi në 11 maj, deklaroi se ndjen keqardhje që Ilir Meta nuk fitoi
“Nuk shoh ndonjë përgjegjësi të madhe, unë nuk kam bërë dhe nuk kam qenë liderë e fushatës së tij, unë kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën”, tha Kryemadhi.
140 deputetët aktualë do të qëndrojnë në detyrë deri në shtator por ata kanë të drejtë të miratojnë ligje deri në datën 9 korrik.
/vizionplus.tv