Pas 8 orësh takim mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, me shefat e landeve, më në fund u arrit një kompromis në lidhje me kërkesat e tyre për shtimin e financimeve, pasi nuk e përballojnë dot fluksin e emigrantëve.
Qeveria Federale në Gjermani premtoi të japë këtë vit një miliard euro më shumë për strehimin dhe trajtimin e refugjatëve. Shtetet federale do të mbështeten në lehtësimin e barrës shtesë, siç thuhet në vendimin e samitit të refugjatëve. Deri më tani, këtë vit qeveria federale ka vënë në dispozicion të landeve 2,75 miliardë euro shtesë. Në total, shpenzimet për refugjatët në Gjermani, përfshirë edhe strehimin e e atyre nga Ukraina, priten të jenë 16 miliardë euro.
Qeveria gjermane e theksoi megjithatë se kjo ndihmë nuk është e përhershme, edhe pse drejtuesit e 16 landeve federale kishin insistuar për një gjë të tillë. Vendimi mbi këtë temë u shty për në takimin e radhës mes tyre dhe kancelarit, i parashikuar të mbahet në muajin nëntor.
Ekzekutivi fillimisht i kishte refuzuar pagesat shtesë, por landet, si kurrë më parë, u bënë bashkë përpara kancelarit dhe kërkuan ndihmë për përballimin e kostove gjithnjë e më të larta, dhe numrin gjithnjë e më të madh të refugjatëve që hyjnë në Gjermani.