Nga kjo e mërkurë çdo fermer apo shoqëri ka mundësi të aplikojë për fonde në Skemën Kombëtare të Investimeve.
Afati i aplikimeve mbyllet në 30 shtator.
Ministria e Bujqësisë njoftoi se skema ka një buxhet prej 20 milion euro apo 2 miliard lekë.
Këtë vit janë 9 masa që do të financohen, ku më kryesorët janë, ndërtimi i serrave diellore, mbjellje në pemë frutore, investimet në agroturizmën, rrjeta antibreshër, apo edhe investimet në akuakulturë.
Kjo skemë ofron 50% të investimit grant për fermerin që kërkon të investojë në masat e përcaktuara.
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj në një reagim në rrjetet sociale shkruan se skema ka si qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore. Mbi të gjitha ajo është në funksion të objektivit për të arritur 1 miliard euro eksporte bujqësore deri në 2030.
Skema kombëtare e investimeve është në mbështetje të skemës kombëtare të bujqësisë që aplikohet çdo vit si dhe garancisë sovrane të ofruar për herë të parë nga qeveria për sektorin bujqësor, për të marrë kredi me normë interes 2%.
Tre mbështetjet që ofrohen për bujqësinë krijojnë një paketë masash për sektorin i cili nuk është në ditët e tij më të mira, por për shumë ekspertë janë sërish masa të pamjaftueshme.
Parashikohet se qeveria që do të krijohet në shtator do të nisë punën për të riparë skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar që zbatohet në bujqësi, e cila në 10 vite ka ndryshuar 5 herë dhe është një nga shkaqet e mos performancës së sektorit./vizionplus.tv





