Shqiptarët duan punë zyre, por jo një zanat

Viti akademik 2026-2027 nisi me të njëjtat sfida. Me më pak studentë në auditorë se një vit më parë, me pasigurinë e të rinjve për të gjetur një vend pune pas shkolle, ndërsa vijon të mbetet pas interesi për zanatet që kërkon tregu.
Mateo Spaho, ekspert ekonomie, në një intervistë për emisioni “e-ZONE” thotë se 1 në 5 të rinj zgjedhin arsimin profesional, shifra më e ulët në rajon.
Ai e analizon këtë realitet edhe me kulturën e familjeve shqiptare, që në më të shumtën e rasteve arsimin profesional e kanë një zgjedhje të dytë apo të tretë.
“Shifrat janë të qartë, vetëm 18-19% e gjimnazistëve zgjedhin arsimin profesional. Ka të bëjë dhe me kulturën e familjeve shqiptare që duan që fëmijët ta shohin në një punë zyre, pra punë me kollare. Ky mentalitet familjar ndikon negativisht te të rinjtë që po orientohen drejt një diplome, por jo drejt një zanati. Sot një sërë profesionesh, që janë në mungesë paguhen më mirë se diplomat që mbarojnë shumica e studentëve”, tha Spaho.
E teksa ekonomia po kërkon profesionistët, zanatçinjtë, ekonomia nuk po i prodhon. Ky realitet ka bërë që tregu t’i drejtohet punëtorëve të huaj në mungesë të shqiptarëve.
“Ky është një problem që duket sikur po zgjidh më shumë nevojat emergjente të bizneseve. Në kuptimin afatgjatë, një i huaj nuk ka produktivitetin e një punëtori shqiptar. Ndaj në këtë realiteti, apeli i drejtohet bizneseve. Sipërmarrësit duhet të rrisin pagat për profesionet e kërkuara dhe ato që mungojnë. Profesionistët duhet të marrin atë që u takon”, sqaroi Spaho.
Në Shqipëri funksionojnë afro 30 institucione të arsimit profesional për degë të ndryshme të ekonomisë.
/vizionplus.tv




