E diel, 11 Tetor 2026 E-Zone deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Më pak studentë në auditorë, ekspertja: Po humbasim elitën e së ardhmes, të rinjtë shmangin sakrificat

25 mijë studentë më pak se 10 vite më parë në auditoret shqiptare. Por cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Cilat janë arsyet pse të rinjtë shqiptarë po rrudhen në auditore?

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e lidh këtë tendencë kryesisht me rënien e lindjeve, faktorët ekonomikë dhe cilësinë e arsimit.

Reklamë

E ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, nën moderimin e Rajmonda Lajthisë, Nunaj paralajmëroi se vendi rrezikon të humbasë një pjesë të elitës së ardhshme.

“Janë dy faktorë. Faktori bazë është faktori demografik dhe i dyti në këtë rast është faktori ekonomik. Kur flasim për faktorin demografik, do të thotë që kemi një tkurrje të numrit të popullatës në moshën nga zero deri në 14 vjeç që fillon me një numër më të ulët lindjesh, pra rënia e lindjeve.

Reklamë

Nga ana tjetër, për sa i përket numrit të studentëve, kemi gjithmonë e më tepër një kërkesë të vazhdueshme të të rinjve shqiptarë, të cilët zgjedhin universitetet jashtë Shqipërisë për të vijuar studimet e tyre. Dhe kjo sërish do të analizohet në dy grupe: E para janë ato studentët e ekselencës të cilët kërkojnë mundësinë më të mirë, dhe e dyta janë ato studentë të cilët kanë një mbështetje financiare nga ana e familjeve të tyre, të cilët zgjedhin një cikël studimesh me cilësi më të lartë arsimore. Ndërsa faktori i dytë, që është faktori ekonomik, këtu lidhet drejtpërdrejt, nëse ke mundësi financiare ti mund ta vazhdosh ciklin e studimeve bachelor e master, në të kundërtën, mund të zgjedhësh një lloj hapësire nga një cikël në cikël sepse ke nevojë për të punuar, për të siguruar të ardhmen dhe për ta përballuar. Të dy këta faktorë janë faktorë themelorë, por ajo çka ndikon më tepër është faktori i parë, demografia, dhe faktori i dytë brenda demografisë, ekonomia”, u shpreh ekspertja Teuta Nunaj në studion e E-ZONE.

E pyetur nëse Shqipëria po humbet të rinjtë që mund të përbëjnë elitën e shoqërisë në të ardhmen, Nunaj u përgjigj se kjo është një nga pasojat e largimit për studime jashtë vendit.

“Në një përgjigje të drejtpërdrejtë do të thosha që po. Por është sërish e rëndësishme të thuhet se ky është një problem që ne nuk e hasim vetëm në Shqipëri. Nuk po marr si bazë krahasimore vendet e Ballkanit Perëndimor, por marr raste të vendeve të zhvilluara, siç është rasti i Italisë, meqenëse përvoja ime është më e gjatë atje. Edhe në Itali është ky problem për sa i përket universiteteve, qofshin ato publike apo private”, nënvizoi Nunaj.

Një tjetër problem që evidentoi ekspertja lidhet me pritshmëritë e të rinjve për të ardhurat dhe angazhimin në punë. Sipas saj, një pjesë e tyre synojnë të ardhura të larta në një kohë të shkurtër, pa shumë impenjim dhe sakrifica.

“Në aspektin e familjes ka një qasje që unë gjykoj se nuk është qasja e duhur që zgjedhin familjet ndaj fëmijëve të tyre. Dhe kur flasim për këtë qasje, do të thotë që ata thonë: ‘Jemi lodhur ne, të mos lodhet fëmija ynë’. Pra synojnë në thonjëza një lloj pune dhe një lloj angazhimi pa lodhje, pa strese, pa shumë ngarkesa”, u shpreh ajo.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.