Deklarata e ambasadorit Wendt, Klodiana Lala: Këto ishin dy momentet më të forta

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar këtë të enjte në studion e “Të Paekspozuarit”, ka analizuar deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në vendin tonë, Eric Wendt, gjatë takimit me prokurorët e SPAK-ut.
Lala tha se janë dy momentet kryesore ku Wendt ndalet në deklaratën e tij: së pari, investimet në kriptomonedha, të cilat lënë gjurmë digjitale, dhe së dyti, mungesa e barazisë në tendera.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: SHBA-ja i tregon SPAK-ut ku fshihen provat. U shqetësuan prokurorët?
Lala: Nuk e di nëse janë shqetësuar apo jo. Sa u përket provave digjitale, ka dyshime të forta kohët e fundit se edhe politikanë apo njerëz të rëndësishëm janë duke investuar në kriptomonedha. Dyshohet se një pjesë e parave rrjedhin nga korrupsioni. Ka disa ekspertë amerikanë të atashuar pranë SPAK-ut, janë kërkesa që SPAK-u duhet të bëjë në SHBA për të marrë informacion. Ai ndalet edhe në një moment te manipulimi i tenderave. Ne kemi disa zyrtarë të lartë të akuzuar për tenderat.
Rakipi: Ambasadori e kishte në dy drejtime, te krimi i organizuar dhe te korrupsioni?
Lala: Fakti që tenderat paracaktohen bën që biznesmeni i huaj të largohet. Për portin e ri të Durrësit ka një çështje nën hetim, pasi gara u bë e tillë ku u detyruan shumë kompani të mëdha ndërkombëtare të largoheshin. AKSHI përdorte një certifikatë që nuk ua jepte kompanive, që të mos kualifikoheshin. Tenderat janë në pjesën dërrmuese. Po të shohësh OPEN DATA, pjesa më e madhe e tenderave janë me flamuj të kuq.
Rakipi: Kujt i referohet?
Lala: I referohen çështjes së zonjës Balluku.
Rakipi: E kanë me zonjën Balluku?
Lala: Për mua, po.
Rakipi: Këta në sa vende kanë qenë në tendera?
Lala: Nuk e di, këtu zhvillohen qindra mijëra tendera. Kemi tigrat në Vlorë, që nuk kanë prodhuar energji. Dy momente kishte për t’u theksuar: fakti që ambasadori bëri të ditur se ka prova digjitale, do të thotë që atje mund të gjenden shumë prova.




