Subscribe

Ashtu siç ishte paralajmëruar, qindra qytetarë u mblodhën sot pasdite para godinës së Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimit të bukës, karburantit dhe energjisë elektrike.

 

Pjesë e tubimit që u organizua në rrjetet sociale, ishin aktivistë të shoqërisë civile si dhe qytetarë te ndryshëm, pensionistë e studentë.

 

Disa prej tyre mbanin në duar bukë, si dhe pankarta ku shkruhej: “Uria pa TVSH, Drita pa qiri, Karburant pa luks”, “Edi Rama, ti je kriza e shqiptarëve”, apo “Kushton më shumë buka sesa hashashi, çështje prodhimi”.

 

Tubuesit kërkuan që të ndalet rritja e çmimeve.

 

“Ata që kanë marrë përgjegjësin për të na rritur çmimet, duhet të lënë edhe karriget, pushtetarëtr kanë dalë nga realiteti, jetojnë në luks. Këtu ka njerëz të varfër, çmimet po shkojnë në një situatë ku familjet po shkojnë drejt mjerimit. Qytetarët janë ngritur për të thënë që ne kemi nevojë të mirëqeverisemi. Ata janë aty që kriza të mos vijë dhe sesi kriza duhet përballuar.”

 

“Jam këtu për problemin ekonomik, është rritur buka. Ky popull po bëhet shumë i varfër, por shtypet ekonomikisht. Poshtë diktatura, poshtë qeveritarët dhe sa më lart populli shqiptar.”

 

“A keni mundësi të paguani energjinë elektrike të rritur? A keni mundësi të paguani për rritjen e çmimit të bukës, të gazit, të karburanteve? A keni të ardhura për të jetuar me dinjitet? Ne sot këtu duhet të ishim edhe më shumë. Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të gazit, të karburanteve, të bukës, jo, jo, jo, jo, jo.”

 

Gjatë kohës që njerëzit flisnin, të tjerët në shesh brohorisnin: “Poshtë diktatura”.

 

 

“Para një muaji the se do rrisësh pensionet, pagat. Çfarë ndodhi? Ne prodhojmë 3 milionë ton naftë në vit? Ku shkojnë? Unë jam naftëtar. T’i marrim këta me shqelma dhe t’i heqim sepse po na marrin shpirtin.”

 

Më herët, tubuesit kundërshtuan politizimin e protestës, duke i kërkuar një aktivisti të opozitës që të largohej.

 

“Vër flamurin kombëtar, hiqe këtë ose largohu! Mos politizo protestën.”

 

Qytetarët qëndruan përpara Kryeministrisë për rreth një orë dhe më pas u shpërndanë. Por ata paralajmëruan se do të mblidhen sërish të hënën, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, për të njëjtin qëllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *