Subscribe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është çështja e parë që parlamenti ka marrë në shqyrtim pas pushimeve të verës. Kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi u ka nisur një letër kryetarëve të partive për të caktuar brenda javës përfaqësuesin e tyre në komisionin e posaçëm që do të zgjedhë anëtarët e rinj të KQZ.

 

Sipas ndryshimeve në ligjin zgjedhor; nga 12 anëtarë që ka Kqz; Ps zgjedh komisionerin dhe 3 anëtarë në komisionin rregullator dhe komisionin e ankesave, ndërsa PD dhe LSI zgjedhin nënkomisionerin dhe 2 anëtarë në secilin prej komisioneve.

 

E ndërsa pritet ngritja e KQZ brenda këtij muaji, caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare ka vënë në lëvizje një mekanizëm të tërë afatesh që duhen respektuar.

 

Për herë të parë këtë vit qeveria Rama nuk mund të rrisë as paga e as pensione, nuk mund të kryeje amnisti apo privatizime pas datës 25 dhjetor, pasi kodi i ri zgjedhor ka vendosur kufizime në mënyrë që të ndalojë përdorimin e burimeve shtetërore për fushatë.

 

Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve

 

25 dhjetori është afati i fundit kur kryeministri, ministrat e kryetaret e bashkive do të vendosin lirisht për aktivitetet publike, pas këtij momenti ata duhet të raportojnë në KQZ dhe ky institucion ka të drejtë të ndalojë zhvillimin e një aktiviteti nëse gjykon se bëhet për fushatë.

 

Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ-ja” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione.

 

Tashmë që data e zgjedhjeve është caktuar, është bërë i qartë edhe kalendari i përgatitjes së procesit; partitë duhet të regjistrohen deri në 14 shkurt për të marrë pjesë në zgjedhje, deri në 24 shkurt duhet të regjistrohen koalicionet dhe deri në 6 mars partitë duhet të çojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputet.

 

Por në këtë moment ka ende shumë gjëra të paqarta në lidhje me listat e kandidatëve për deputet sa përqind e tyre do të jetë e hapur, si do të ndërtohen koalicionet, si do të jetë fleta e votimit apo si do të zhvillohet numërimi; çështje të cilat do të diskutohen edhe njëherë në këshillin politik për t’u miratuar më pas në parlament.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *