Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi ka bërë me dije se kanë nisur punimet për një nga projektet më të rëndësishme në Durrës që synon modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Investimi, me mbështetje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, parashikon zgjerimin e impiantit, rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimin e infrastrukturës së re në disa zona të qytetit.
“Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, janë rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ku së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës.
Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian. Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth 2/3 e vlerës së investimit.
Në total, projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro.
Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura”, shprehet Karakaçi.





