Dy kongresmenë amerikanë letër Rubios: Të shqyrtohen kufizimet e vizave për zyrtarët e korruptuar shqiptarë

Dy kongresmenë republikanë në Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Kongresmenët amerikanë i kanë kërkuar Departamentit të Shtetit të shqyrtojë zbatimin e nenit 7031(c) të legjislacionit amerikan, i cili parashikon ndalimin e hyrjes në SHBA për shtetas të huaj ndaj të cilëve ka informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion.
Këto masa mund të përfshijnë edhe familjarët e afërt të personave të identifikuar sipas këtij mekanizmi.
Në letrën e tyre, kongresmenët kërkojnë gjithashtu të dhëna mbi mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi në Shqipëri, si dhe mbi bashkëpunimin e ambasadës amerikane në Tiranë me institucionet shqiptare për garantimin e sigurisë së protestuesve dhe gazetarëve. Administratës amerikane i është kërkuar të përgjigjet deri më 5 nëntor.
Wilson dhe Self theksojnë se institucionet që luftojnë korrupsionin duhet të veprojnë pa ndërhyrje politike. Sipas tyre, mbrojtja politike e zyrtarëve që janë nën hetim mund të pengojë punën e këtyre institucioneve.
Artikulli i “Fox News” ndalet edhe te protestat në Tiranë, ku demonstruesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimet janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe incidente pranë institucioneve shtetërore, si dhe në afërsi të selisë së Partisë Socialiste. Rama ka refuzuar thirrjet për dorëheqje dhe u ka propozuar protestuesve dialog. Ai ka pretenduar gjithashtu se interesa të huaja synojnë të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë për “Fox News”, kongresmeni Joe Wilson tha se në Kongresin amerikan ka shqetësime për zhvillimet në Shqipëri dhe mënyrën se si autoritetet reagojnë ndaj qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi korrupsionin dhe lidhjet e pretenduara mes zyrtarëve dhe trafikut të narkotikëve.
Në artikull përfshihen edhe komentet e ish-ambasadorit shqiptar Agim Nesho, i cili bën një krahasim mes situatës në Shqipëri dhe protestave kundër korrupsionit në Serbi. Ai e lidh intensifikimin e demonstratave me kërkesat për më shumë përgjegjshmëri politike.




