Subscribe

Kërkesën e socialistëve dhe demokratëve për të ribërë Kodin Elektoral, të paktën në disa parashikime të tij ligjorë, e sheh si domosdoshmëri edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. E para që kërkohet nga Ilirjan Celibashi është që ndryshimet të ndërmerren në një periudhë të hershme, për t’i dhënë mundësinë KQZ-së, të përmbushë detyrimet.

 

“Gjëja e parë që duhet të bëjnë nëse kanë ndërmend të ndryshojnë kodin zgjedhor, këtë duhet ta bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që ti lihet kohë administratës zgjedhore t’i përgatisë zgjedhjet jo sikur bëhet luftës, sikur jemi në një situatë alarmi, t’i përgatis ashtu sikur përgatiten zgjedhjet në një vend normal nga pikëpamja e demokracisë, zhvillimit politik, debatit politik, garës elektorale, në fund të fundit”, tha Celibashi.

 

Ndryshimet e pritshme, për Ilirjan Celibashin, duhet të përfshijnë edhe riorganizmin e vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e veçmas për një nga proceset më thelbësore, atë të ankimimeve.

 

“Mendoj që duhet të ketë adresim të mënyrës sesi është organizuar dhe funksionon administrata zgjedhore, përfshirë kjo edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por më së shumti në nivelin e dytë dhe të tretë të saj, mënyra sesi trajtohen ankimimet zgjedhore, mendoj se duhet të ketë një rikonsiderim të këtij aspekti. Në vlerësimin tim në pikëpamje të kohës krijon një lloj problemi po kështu edhe në pikëpamje të një lloj eficence në shqyrtimin e ankimeve.”

 

Po aq të nevojshme, ndërhyrjen në ligjin zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve e sheh edhe te: “Çështja e sjelljes së administratës publike në periudhën zgjedhore, financimi i partive politike, dhe jo vetëm për fushatën zgjedhore.”

 

Në pritje të konkluzioneve dhe rekomandimeve të raportit të OSBE-ODIHR, edhe vetë KQZ është në proces analize të të mirave dhe të metave që prodhoi procesi zgjedhor i 25 Prillit, që nga zbatimi i suksesshëm i teknologjisë, te mosrealizimi i votës së emigrantëve, debati për fletën e votimit apo shkelja në jo pak raste e vendimit për aktivitetet e ndaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *