Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se nuk do të pranojë kërkesat e Hamasit për vazhdimin e negociatave për një armëpushim në Gaza.

Netanyahu ka këmbëngulur se lufta do të vazhdojë edhe në rast të një pauze të zgjatur.

“Kemi hedhur poshtë presionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës përpara se të arrihen qëllimet, pavarësisht rritjes së presionit politik ndërkombëtar”, është shprehur ai.

Sot, protestuesit izraelitë kërkuan që qeveria e Netanyahu të bëjë më shumë për të lejuar 134 pengjet e Hamasit të kthehen në shtëpi. Në këtë kontekst, bisedimet e fundit për mundësinë e armëpushimit duket se kanë qenë një rreze shprese.

“Kanë kaluar 145 ditë dhe netë të pafundme që ne dëshirojmë të shohim të dashurit tanë”, tha Ronen Neutra.

Djali i tij, Omer, është një nga pengjet që mbahen në Gaza.

“Po u dërgojmë forcë, po u kërkojmë të kenë pak më shumë guxim”, tha Ronen dhe më pas, duke iu drejtuar të birit, shtoi: “Omer, duro edhe pak. Një marrëveshje do të arrihet.”

Që kur ndërmjetësit nga SHBA, Egjipti dhe Katari u takuan në Paris fundjavën e kaluar, shtypi izraelit ka folur shpesh për një marrëveshje armëpushimi. Megjithatë, asnjë dokument që përshkruan propozimet e fundit nuk është publikuar.

Por kur presidenti amerikan Joe Biden tha se një marrëveshje mund të hynte në fuqi deri të hënën, pati edhe më shumë spekulime.

Mendohet se një armëpushim i mundshëm mund të zgjasë gjashtë javë, gjatë së cilës do të liroheshin gradualisht 40 pengje izraelite, duke filluar nga gratë civile dhe ushtarët.

Në këmbim, rreth 400 palestinezë të burgosur, disa prej të cilëve u dënuan për vepra të rënda të lidhura me terrorizmin, do të lirohen nga burgjet izraelite.

Në të njëjtën kohë, ushtarët izraelitë ka të ngjarë të tërhiqen nga zonat më të populluara të Gazës dhe disa nga 1.8 milionë palestinezë të zhvendosur mund të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të enklavës./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *